Zbuloni Peizazhin e Mbrojtur të Lumit Buna

15 June 2012 | Article
0 CommentsWrite a comment

Rrjedha e qete e gjarpëruese lumit Buna formon edhe pjesën me dinamike të kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Lumi Buna është një nga lumenjtë e Ballkanit Jug-perëndimor që derdhet në Mesdhe. Delta e Bunës përfshin disa nga ligatinat më të rëndësishme të bregut lindor të Mesdheut dhe zënë një sipërfaqe prej rreth 19’000 ha. Duke njohur rëndësinë e këtij ekosistemi, Qeveria Shqiptare në vitin 2005 vendosi të shpalle këtë zonë të pasur në biodiversitet si Peizazh të Mbrojtur Tokësor e Ujor, duke e vënë nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor të Shkodrës. Ky sistem hidrologjik mjaft kompleks karakterizohet nga burime të pasura ujore dhe disa ligatina dhe ishuj të vegjël që ndajnë rrjedhën e lumit.

Delta e Bunës përmbledh një gamë të larmishme habitatesh unike natyrore që strehojnë mbi njëzet e katër lloje të rralla apo të rrezikuara si dhe mbështesin zhvillimin e një pasurie të madhe bimore e shtazore, me një sërë bimësh e kafshësh te mbrojtura e autoktone. Lista e Kuqe e bimëve të Shqipërisë, hartuar sipas kritereve të IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) identifikon 320 lloje të kërcënuara apo të rralla. Ligatinat përgjatë rrjedhjes së Bunës strehojnë 250 lloje shpendësh, disa nga të cilat janë tejet të rrezikuara. Lumi Buna shërben edhe si portë hyrëse për rreth 107 lloje të ndryshme peshqish, ku përfshihet edhe blini, një lloj i rrezikuar në shkallë globale. Ndër gjitarët e mbrojtur në zonë mund të përmenden çakalli, ariu i murrmë dhe delfini hundë-shishe.

Mbrojtja efektive e bimëve dhe kafshëve në rajon është një detyrim që rrjedh edhe nga marrëveshjet ndërkombëtare. Pjesa shqiptare e rrjedhës së lumit Buna karakterizohet nga një sërë peizazhesh unike me vlera tradicionale e kulturore dhe strehon rreth 36’000 banorë. Aktivitetet kryesore ekonomike në zonë janë bujqësia, peshkimi, tregtia dhe turizmi, të cilat punësojnë një pjesë të banorëve të zonës. Bregdeti dhe pyjet përreth tij tërheqin afërsisht 250’000 turistë në vit, kryesisht në periudhën Korrik dhe Gusht, çka paraqet mundësi të mëdha për fuqizimin e sektorit të peshkimit dhe shitjes me pakicë.

Fatkeqësisht, zhvillimi ekonomik i zonës është i kufizuar dhe banorët kanë të ardhura të ulëta. Papunësia është e lartë dhe rreth 12% e banorëve trajtohen me ndihmë ekonomike apo mbështeten ne dërgesat e emigranteve. Shumica e banoreve mbështeten në shfrytëzimin e tokave pjellore të zonës për të siguruar nevojat e përditshme të jetesës. Por, me gjithë vështirësitë me të cilat përballen banorët e zonës, ata kane mundësitë dhe aftësitë e duhura për të përballuar sfidat e zhvillimit që shtrihen para tyre.
 


Comments

0 Comments
Write a comment

600 CHARACTERS LEFT

captcha